Një ngjarje e rëndë, që për fat të mirë përfundoi pa pasoja tragjike, ka përfshirë ish-futbollistin argjentinas, Martín Demichelis, dhe fëmijët e tij. Më 31 dhjetor 2025, familja e tij rrezikoi seriozisht mbytjen në një plazh të Punta del Este, në departamentin Maldonado të Uruguait, në një zonë ku nuk kishte roje bregdetare.
Sipas raportimeve të medias lokale FM Gente, të konfirmuara edhe nga Montevideo Portal me burime nga Brigada e Rojeve Bregdetare, ngjarja ndodhi në zonën e quajtur Edén Rock, mes San Vicente dhe Santa Mónica. Një rrymë e fortë detare filloi të tërhiqte Demichelisin dhe fëmijët e tij gjithnjë e më larg bregut, duke i vënë ata në një situatë reale rreziku.
Në një moment vendimtar, disa shpëtimtarë që po përgatiteshin të hynin në det për të bërë surf, vunë re situatën alarmante. Reagimi i tyre i menjëhershëm rezultoi jetik: ata ndërhynë me shpejtësi dhe arritën të nxirrnin familjen nga deti, duke shmangur kështu një tragjedi të mundshme. E gjithë skena u regjistrua edhe në video, e cila më pas qarkulloi në rrjete dhe media.
Demichelis ndodhej në plazh edhe me familjarë të tjerë, të cilët nuk kishin hyrë në det dhe asistuan të tronditur momentet e shpëtimit. Sipas dëshmitarëve, ndërhyrja ndodhi “për mrekulli”, vetëm falë rastësisë që shpëtimtarët ndodheshin aty pranë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rrezikun e notit në zona pa mbikëqyrje dhe rëndësinë jetike të pranisë së rojeve bregdetare, sidomos gjatë sezonit turistik.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: