Petar Ratkov është zyrtarisht futbollist i ri i Lazios. Klubi bardhekaltër ka konfirmuar afrimin e sulmuesit serb, i cili vjen me karton të plotë nga Red Bull Salzburg, duke u konsideruar si pasuesi natyral i Taty Castellanos në repartin ofensiv.
Historia e Ratkovit nuk ka qenë aspak e zakonshme. Vetëm 16 vjeç, ai kishte menduar seriozisht ta linte futbollin, pasi aktivizohej në kategorinë e gjashtë me DIF Beograd dhe nuk po gjente motivimin e duhur. Gjithçka ndryshoi me kalimin te Bačka Topola, ku nisi ngjitja e tij e vërtetë drejt futbollit të nivelit të lartë.
Bëhet fjalë për një sulmues fizik, 1.93 metra i gjatë, tipik numër 9, por që mund të luajë edhe si anësor i majtë. Në vitin 2023, Salzburgu investoi 5 milionë euro për ta transferuar, ndërsa në Austri Ratkov arriti të lërë gjurmë, duke shënuar edhe golin më të shpejtë në historinë e kampionatit austriak: vetëm 6 sekonda kundër Blau-Ëeiß Linz.
Në dy sezonet e fundit, ai ka realizuar 22 gola në 99 paraqitje, me 12 prej tyre të shënuar në gjashtëmujorin e fundit, një tregues i qartë i rritjes së formës. Paralelisht, Ratkov është aktivizuar edhe me përfaqësuesen e Serbisë, fillimisht me U17 dhe U21, për të debutuar me kombëtaren A në shtator të vitit 2023.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: