Antoine Semenyo ka mbërritur në Mançester për të kryer vizitat mjekësore, hapi i fundit ky përpara transferimit të shumëpritur nga Bournemouthi te Manchester City. Sulmuesi anësor 26-vjeçar pritet të finalizojë një marrëveshje me vlerë rreth 64 milionë paundë, duke u shndërruar në një nga përforcimet më të rëndësishme të merkatos së dimrit në Premier League.
Përfaqësuesi i Ganës shihet si një shtesë ideale për repartin ofensiv të Pep Guardiolës, falë shpejtësisë shpërthyese, forcës fizike dhe stilit të drejtpërdrejtë në lojë. Tekniku spanjoll kërkonte një profil të tillë për të pasuruar alternativat në krahë dhe për t’i dhënë skuadrës më shumë thellësi dhe vertikalitet në sulm.
Sipas raportimeve, Semenyo mund të trashëgojë fanellën ikonike me numrin 42, e cila në të kaluarën është mbajtur nga legjenda e klubit, Yaya Touré. Ky detaj simbolik shton edhe më shumë peshën e pritshmërive që shoqërojnë afrimin e tij në “Etihad”.
Sezonin aktual, Semenyo ka qenë një nga pikat më të forta të Bournemouth-it. Në 20 paraqitje në Premier League ai ka realizuar 10 gola dhe ka dhënë tri asistime, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha. Performancat konstante dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në rezultat kanë bindur drejtuesit e Manchester City-t të investojnë fuqishëm për shërbimet e tij.
Nëse gjithçka shkon sipas planit pas kontrolleve mjekësore, zyrtarizimi pritet shumë shpejt, ndërsa Semenyo do të nisë një kapitull të ri në karrierë te një nga klubet më ambicioze të futbollit evropian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: