Tradita e ‘Boxing Day’ është një nga më të rrënjosurat në futbollin botëror dhe vendimi i Premier League për të zhvilluar vetëm një ndeshje të dielën, Manchester United-Newcastle, si paraprirëse e javës së 18-të, ka shkaktuar reagime të forta. Shumë tifozë, por edhe figura politike britanike, kanë kritikuar këtë vendim në rrjetet sociale, ndërsa organizatori i futbollit anglez e justifikoi me kalendarin e ngjeshur nga kompeticionet europiane dhe nevojën për të zgjatur periudhat e pushimit për lojtarët.
Kjo është hera e parë që nga viti 1982 që kalendari i ‘Boxing Day’ është kaq i shkurtër, ndërsa vitin e kaluar më 26 dhjetor u luajtën tetë ndeshje. Dita pas Krishtlindjes është e dashur për shumicën e britanikëve, të cilët e kalojnë mes shoppingut dhe futbollit. Historia e lidhjes mes ‘Boxing Day’ dhe futbollit nis që nga sezoni i parë i Football League në 1888, kur Derby County luajti ndaj Bolton Wanderers dhe West Bromwich Albion ndaj Preston North End. Që atëherë, janë zhvilluar mbi 4.000 ndeshje në Boxing Day, duke konsoliduar vendin e kësaj dite në folklorin sportiv.
Rekordi historik mbetet ai i vitit 1963, kur në dhjetë ndeshje u shënuan 66 gola, një shifër që duket e paarritshme. Megjithatë, mungesa e ndeshjeve në Premier League është një mundësi për klubet e ligave të ulëta, të cilat shpresojnë të tërheqin më shumë publik në stadiumet e tyre sesa zakonisht.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: