Historia e futbollit nuk është shkruar vetëm në trofe, gola dhe ndeshje të paharrueshme, por edhe në statuja që përjetësojnë figurat më të mëdha të këtij sporti. Nga legjenda të brezave të kaluar deri te ‘yje’ që janë ende aktivë, gjithnjë e më shumë futbollistë po nderohen me monumente në qytetet e tyre, pranë stadiumeve ose në vende simbolike për karrierën e tyre.
Emra si Diego Armando Maradona janë prej kohësh pjesë e këtij panteoni. “El Diez” ka disa statuja në Argjentinë dhe në Napoli, duke reflektuar ndikimin e jashtëzakonshëm që pati në futboll dhe në kulturën popullore. Por përjetësimi në bronz nuk u takon më vetëm legjendave të së shkuarës.
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë shembujt më domethënës të ‘yjeve’ modernë që kanë marrë këtë nderim ende pa e mbyllur karrierën. Statujat e tyre janë vendosur në vende simbolike, duke u kthyer në pika pelegrinazhi për tifozët nga e gjithë bota. Së fundmi, edhe Manchester City ka nderuar tri figura të rëndësishme të historisë së klubit, përfshirë Vincent Kompany, duke theksuar rolin e tyre në ndërtimin e epokës së artë të “Qytetarëve”.
Megjithatë, jo çdo histori e lidhur me statujat ka qenë pozitive. Rasti i Zlatan Ibrahimoviçit në Malmö është një nga më të njohurit: statuja e tij u vandalizua pasi ai u bë bashkëpronar i Hammarby-t, rival i klubit të tij të formimit. Edhe statuja e Lionel Messit në Buenos Aires ka pasur një fat të ngjashëm, duke u dëmtuar deri në zhdukje të pjesës së sipërme.
Pavarësisht polemikave, statujat mbeten një simbol i fuqishëm i mirënjohjes, duke dëshmuar se këta futbollistë nuk janë thjesht lojtarë, por figura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lojës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: