Bylis dhe Dinamo u ndalën në një barazim 0-0 në “Adush Muça”, rezultat që i lë të dy ekipet sërish pa fitore pas disa javësh radhazi. Pas ndeshjes, trajneri Ilir Daja analizoi lojën dhe u shpreh se sfida mund të kishte marrë çdo drejtim.
“Barazimi? Mund të fitonim, por edhe mund të humbnim. Bylisi pati disa raste të rrezikshme para porte,” tha Daja, duke theksuar se mungesat nuk duhen marrë më në konsideratë, pasi janë bërë pjesë e përditshmërisë së skuadrës. Ai pranoi se pjesa e parë ishte e dobët, ndërsa në të dytën skuadra reagoi mirë dhe luftoi deri në fund. “Nëse do të kishim shfrytëzuar rastin e fundit, sot do të flisnim ndryshe,” shtoi ai.
Sa u përket problemeve në markim, Daja u shpreh se Dinamo nuk arriti të neutralizonte lojtarin numër 23 të Bylisit, i cili ndikonte në ndryshimin e krahëve të lojës. Ai kritikoi edhe përdorimin e topave të gjatë dhe dorëzimin e shpejtë të topit kundërshtarit, çka i kushtoi energji skuadrës sidomos në pjesën e parë. Për fushën, Daja tha se priste kushte më të vështira për shkak të shirave dhe se gjatë javës skuadra kishte punuar për lojën me kundërpresing, por manovra nuk u zbatua si duhet.
Pavarësisht katër ndeshjeve pa fitore, trajneri mohoi problemet psikologjike: “Kemi prodhuar lojë dhe jemi shfaqur më mirë se kundërshtarët. Futbollistët janë të lirë, nuk kemi presion.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: