‘Ylli’ i Hoffenheimit, Fisnik Asllani, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së Bayern-it të Mynihut dhe këtë herë drejtori sportiv, Christoph Freund, ka folur me tone shumë pozitive për sulmuesin me origjinë shqiptare.
Prej muajsh, Asllani ka qenë i lidhur fort me një kalim te gjiganti bavarez dhe deklaratat e Freund vetëm sa e forcojnë këtë pistë.
“Asllani? Lojtar shumë i mirë, shënon shumë gola, djalë i zgjuar që është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme,” tha Freund.
“Ai ka pasur disa huazime dhe po bën përparim shumë, shumë të madh. Mendoj se është një lojtar i ri interesant dhe tashmë shumë njerëz po flasin për të.”
Drejtori i Bayernit theksoi se klubi është i kënaqur me organikën aktuale, por la të nënkuptohet se profili i Asllanit përputhet me projektin e bavarezëve.
“Ka mjaft djem që po zhvillohen mirë. Por, siç e kam thënë, aktualisht jemi shumë të kënaqur me atë që kemi dhe si jemi të strukturuar,” shtoi ai.
Sipas gazetarit të Sky, Florian Plettenberg, mes palëve kanë nisur kontaktet e para për Asllanin, por ende nuk është marrë një vendim final.
Interesimi i Bayernit duket konkret dhe i qëndrueshëm, ndërsa sulmuesi i Hoffenheimit vazhdon të tërheqë vëmendje me golat dhe rritjen e tij të vazhdueshme në Bundesliga. Bavarezët po e ndjekin nga afër dhe një lëvizje në verë nuk duket aspak e pamundur.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: