Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, u shfaq tejet i kënaqur pas triumfit 1-0 ndaj Vllaznisë në Shkodër, një fitore që ai e cilësoi plotësisht të merituar dhe frut i rritjes së vazhdueshme të skuadrës.
“Sot ka dalë një film jashtëzakonisht i bukur,” – u shpreh Dobi, duke e krahasuar paraqitjen e Teutës me një skenar të realizuar në mënyrë perfekte. “Lojtarët janë aktorët, ne jemi regjisorët. Interpretimi i tyre ishte i shkëlqyer.”
Ai theksoi se kjo Teutë është e njëjta që ka dhënë paraqitje të mira edhe më parë, por që tashmë po finalizon më mirë idetë e lojës. “Shpirti i garës, presingu i lartë, organizimi dhe befasimi i kundërshtarit – të gjitha këto i vumë në zbatim. Nëse do të jesh mes më të mirëve, duhet të mundësh më të mirët, dhe sot e treguam.”
Dobi pranoi se skuadra mund të kishte shënuar më shumë:
“Kishim rastet, më vjen keq për golin e anuluar. Detajet bëjnë diferencën. Me 2-0 loja do të ishte mbyllur.”
Edhe pse Vllaznia shtoi presionin me topa të gjatë, ai besoi se Teuta e kontrolloi mirë takimin. “Nuk po them që barazimi do të na kënaqte. Me mënyrën si po rridhte loja, e meritonim fitoren.”
Trajneri shtoi se nuk merret me çështjet e arbitrimit:
“Nuk kam zakon dhe as kulturë të merrem me arbitrin.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: