Turneu prestigjioz ATP Finals në Torino, i cili bashkon më të mirët e tenisit botëror, u trondit sot nga dy ngjarje dramatike që ndodhën brenda pak orësh. Dy spektatorë, të moshës 70 dhe 78 vjeç, kanë humbur jetën në rrethana të ngjashme, duke e kthyer atmosferën festive të eventit në ditë zie.
Sipas medieve italiane, rasti i parë ndodhi në mëngjes, në zonën e grumbullimit të tifozëve pranë një prej fushave kryesore. Burri 70-vjeçar kishte ndier shqetësime të forta dhe u rrëzua papritur. Stafi mjekësor reagoi menjëherë dhe e dërgoi në spitalin Molinet, por pavarësisht përpjekjeve, ai nuk mundi të mbijetonte.
Tragjedia e dytë ndodhi gjatë ndeshjes mes Lorenzo Musetti-t dhe Taylor Fritz, kur një tjetër spektator, 78 vjeç, pësoi një ndalesë kardiake në tribunë. Edhe në këtë rast, ndërhyrja e ekipeve të urgjencës ishte e menjëhershme, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pafrytshme.
Organizatorët e turneut shprehën ngushëllimet e tyre për familjarët e viktimave dhe vlerësuan reagimin e shpejtë të ekipeve mjekësore. Pavarësisht tragjedive, ndeshjet të planifikuara për ditën e sotme vijuan, por në një atmosferë të rënduar për gjithë publikun e pranishëm në Pala Alpitour.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: