Trajneri i Tiranës, Roberto Bordin, u shfaq i pakënaqur pas humbjes ndaj Elbasanit dhe ngriti dyshime mbi disa vendime të gjyqtarit në rastet e golave të pësuar nga bardheblutë.
Sipas tij, problemet nisën me gjendjen nga goditjet standarde: “Në pjesën e parë pësuam dy gola nga goditje standarde. Te i dyti nuk e pamë qartë nëse ishte faull ndaj portierit apo jo. Edhe për rastin me Dembelénë në pjesën e dytë mendoj se kishte një faull të dukshëm.”
Bordin vlerësoi se ekipi dha një reagim dinjitoz pas pjesës së parë: “Në pjesën e parë luajtëm mjaft mirë; në të dytën, pas 2–1, kontrolluam lojën dhe luajtëm mirë, por na janë ndodhur kundërsulme që duhej t’i menaxhonim më mirë. Pas situatës me Dembelénë, mund ta kishim mbyllur ndeshjen më ndryshe.”
Tekniku shtoi se zgjedhjet e tij në formacion ishin të vetat dhe se përgjegjësia është kolektive: “Formacioni ishte vendim imi; kam ekipin në dispozicion. Te topi i dytë nuk është vetëm Soler, por e gjithë skuadra duhet të reagojë. Sot bëmë më pak sesa mund të bënim dhe duhet ta analizojmë ndeshjen për të kuptuar gabimet.”
Bordin theksoi gjithashtu përpjekjet për të ndryshuar dinamikën e ndeshjes: “U munduam të modifikonim dhe të dilnim me tre, duke çuar lart Verën dhe Haxhiun, për të kërkuar ndryshimin. Pas ndeshjes është e lehtë të flasësh, por ne duhet të përgatitemi më mirë.”
Në përmbyllje ai theksoi nevojën për analizë të detajuar: “Duhet të analizojmë mirë katër golat, sidomos dy të fundit, ku ishim pak të çekuilibruar. Dua ta rishoh golin e tretë, sepse sipas meje ishte faull.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: