Elbasani vazhdon të surprizojë në këtë fillim kampionati, duke marrë një fitore të madhe në “Air Albania” përballë Tiranës me rezultatin 2–1. Trajneri Ivan Gvozdenoviç, arkitekti i këtij suksesi, u shfaq i lumtur pas ndeshjes, duke vlerësuar reagimin e skuadrës dhe ekuilibrin në lojë.
“Isha dy javë i mërzitur, tani do jem i lumtur për pak. Sot ishim shumë mirë në fazën mbrojtëse, në ekuilibër, të fortë në duele ajrore dhe efikasë në sulm. E merituam fitoren, si djemtë ashtu edhe stafi im,” – u shpreh Gvozdenoviç për mediet pas ndeshjes.
Tekniku serb theksoi se Elbasani po tregon rritje të qëndrueshme: “Edhe kundër Ballshit kishim reaguar mirë, por sot ishim më të qartë dhe më të vendosur. Shënuam gola të bukur dhe ruajtëm strukturën e lojës në çdo moment. Lajthia dhe Blaise bënë një paraqitje shumë të mirë.”
Ai foli edhe për disa momente të vështira gjatë ndeshjes: “Kur Tirana kaloi me tre mbrojtës, patëm 5–6 minuta pa ekuilibër për shkak të komunikimit. Pësuam nga një faull i panevojshëm, por më pas u riorganizuam dhe morëm kontrollin.”
Në fund, Gvozdenoviç theksoi karakterin e skuadrës së tij: “Sot kishim besim të madh se do të fitonim. Edhe kur rezultati ishte 1–2, nuk patëm frikë si në ndeshjen me Ballshin. Kjo fitore tregon se Elbasani po bëhet një skuadër me personalitet.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: