Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u shfaq i kënaqur pas fitores 2–0 që skuadra e tij arriti në “derbin e vogël” ndaj Partizanit. Pas ndeshjes, tekniku kryeqytetas analizoi me kujdes ndeshjen dhe paraqitjen e bluve.
“Kemi bërë një 25-minutësh të parë shumë të mirë, ku kontrolluam gjithçka. Pastaj Partizani mori pak iniciativën, por ne mund të kishim realizuar më shumë dhe duhej të ishim më cinikë. Derbi kishte spektakël dhe tension, por me shënimin e golit të parë morëm lojën nën kontroll,” – u shpreh Daja.
Tekniku shtoi se skuadra e tij reagoi në mënyrën e duhur ndaj presionit të kuqve: “Në momentet kur Partizani filloi të bëhej më agresiv me presingun lart, morëm masat tona. Goli i dytë mbylli çdo dyshim. Partizani ka grup të mirë lojtarësh, por ne po vazhdojmë serinë pozitive dhe ngjitemi në renditje.”
Daja vlerësoi kontributin e gjithë ekipit, duke theksuar frymën kolektive: “Lojtarët që vijnë nga stoli po japin maksimumin. Kjo fitore u takon të gjithëve, sepse luftuan si një bllok i vetëm. Kemi pasur vetëm dy ditë për ta përgatitur ndeshjen, por djemtë u treguan të jashtëzakonshëm.”
Në fund, tekniku ndaloi edhe te analiza taktike, duke përmendur se “Maliqi ishte më agresiv në krahun e djathtë dhe ndihmoi shumë në fazën mbrojtëse”, ndërsa theksoi se Dinamo po ecën me hapa të sigurt drejt objektivave sezonalë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: