Legjenda e basketbollit, Michael Jordan, ka kritikuar hapur kulturën e re të “load management” që është përhapur në NBA, ku shumë lojtarë të rëndësishëm mungojnë në ndeshjet e sezonit të rregullt për të ruajtur gjendjen fizike.
Në një intervistë për NBC, basketbollisti që për shumëkënd konsiderohet më i miri i të gjitha kohërave, tha se ai nuk ka dashur kurrë të mungojë në një ndeshje, sepse besonte se lojtarët “kanë një detyrim ndaj tifozëve”.
Në një periudhë kur diskutohet gjithnjë e më shumë mundësia e shkurtimit të sezonit të rregullt të NBA-së, që aktualisht përfshin 82 ndeshje për ekip,liga amerikane e basketbollit ka miratuar që nga sezoni 2023/24 një rregull që lejon ndëshkimin e klubeve që lënë jashtë lojtarët kryesorë pa arsye të vlefshme.
“Për disa, një rregull i tillë nuk do të duhej të ekzistonte fare. Unë nuk kam dashur kurrë të mungoj në një ndeshje, sepse çdo ndeshje ishte një mundësi për t’u treguar tifozëve që kishin ardhur të më shihnin,” – tha Jordan.
“Doja të impresionoja atë tifoz që ndoshta kishte punuar fort gjithë javën vetëm për të kursyer para e për të blerë një biletë,” – shtoi ai.
Sipas Jordan-it, lojtarët e NBA-së kanë mjaftueshëm kohë për të menaxhuar gjendjen e tyre fizike gjatë pjesës tjetër të ditës:
“Ke një përgjegjësi, nëse njerëzit vijnë për të të parë të luash, nuk duhet ta humbasësh atë mundësi. Nëse fizikisht nuk je në gjendje, është ndryshe. Por nëse mundesh dhe thjesht nuk të pëlqen të luash, kjo është krejt tjetër gjë.”
“Ti luan basketboll dy orë e gjysmë, maksimumi tri orë në ditë, apo jo? Ky është profesioni yt. Për këtë paguhesh si lojtar i NBA-së. Po çfarë bën me 21 orët e tjera të ditës?”, përfundoi Jordan.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: