Në fitoren e thellë 5-1 të Liverpoolit ndaj Eintracht Frankfurtit në Champions League, nuk munguan momentet e tensionit mes ‘yjeve’ të skuadrës. Mohamed Salah dhe Florian Wirtz patën një episod që u komentua gjerësisht, pasi egjiptiani zgjodhi të godiste portën në vend që t’ia pasonte topin shokut të skuadrës, i cili ndodhej i vetëm përballë portierit.
Episodi ndodhi në minutat e fundit të ndeshjes, kur rezultati ishte tashmë i sigurt. Wirtz reagoi me zhgënjim të dukshëm, duke ngritur duart lart në shenjë mosbesimi, ndërsa mundësia për golin e tij të parë me fanellën e Liverpoolit iu shpëtoi nga duart.
Pas ndeshjes, tifozët dhe analistët kritikuan Salah për mungesë bashkëpunimi. Ish-sulmuesi Troy Deeney dhe gazetari Adrian Durham nga talkSPORT e quajtën vendimin e egjiptianit “lakmitar” dhe kërkuan që ai të tregojë më shumë shpirt skuadre.
Ironikisht, Wirtz kishte qenë një nga më të mirët në fushë, me dy asistime dhe shumë energji në mesfushë për skuadrën e Arne Slot. Ky episod e ka vënë sërish Salah nën vëzhgim, me shumëkush që kërkon më shumë harmoni në repartin ofensiv të Liverpoolit, ndërsa skuadra përgatitet për përballjen e radhës ndaj Brentfordit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: