Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, e pranoi me keqardhje humbjen minimale në “Bernabeu”, por theksoi se skuadra e tij tregoi personalitet dhe se është në rrugën e duhur për t’u rritur.
“Përballeshim me një skuadër të jashtëzakonshme si Real Madridi, me lojtarë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment. Kishim një qasje të saktë dhe për pjesë të ndeshjes luajtëm me personalitet. Më vjen keq për rastet e humbura, sepse e meritonim të paktën një gol. Fanella e Juventusit peshon, ndaj duhet të jemi të gjithë liderë në fushë”, deklaroi kroati.
Sipas tij, skuadra po ecën me hapa të qëndrueshëm:
“Që kur jam në stol, vetëm në pak ndeshje kemi hyrë keq në fushë. Ky grup ka energji, por edhe kufizime. Krahasimet me të kaluarën nuk ndihmojnë, duhet të ndërtojmë identitetin tonë. Jam i kënaqur me qëndrimin dhe besimin e djemve.”
Tudor komentoi edhe golin e pësuar:
“Vinicius bëri një veprim të jashtëzakonshëm mes tre lojtarëve tanë. Në zonë çdo kontakt mund të bëhet penallti, ndaj duhet të menaxhojmë më mirë situatat.”
Në fund, ai foli për lodhjen dhe ndeshjet e ardhshme:
“Vlahovic luajti shumë mirë. Tani na duhet të rikuperojmë shpejt, sepse pas katër ditësh jemi sërish në fushë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: