Një ngjarje tragjike ka tronditur Italinë pas ndeshjes së kampionatit të basketbollit të Serisë A2 mes Estra Pistoia dhe Sebastiani Rieti. Autobusi që transportonte tifozët e skuadrës nga Pistoia është sulmuar gjatë natës pranë zonës Contigliano, në provincën e Ternit. Si pasojë e sulmit me gurë, ka humbur jetën shoferi i mjetit, i goditur nga një tullë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga autoritetet më të larta të vendit. Kryeministrja Giorgia Meloni e ka quajtur këtë ngjarje “një akt dhune të papranueshëm dhe të çmendur”. Në një reagim në rrjetin X, Meloni shkroi:
“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen e viktimës dhe afërsinë time me të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë të kësaj tragjedie. Kam besim se autorët e këtij gjesti të ulët dhe kriminal do të identifikohen dhe do të përballen sa më shpejt me drejtësinë.”
I tronditur është shprehur edhe ministri për Sportin dhe të Rinjtë, Andrea Abodi, i cili reagoi po ashtu në rrjetet sociale:
“Si është e mundur të humbasësh jetën në këtë mënyrë, ndërsa kthehesh në shtëpi pas një ndeshjeje basketbolli? Është tronditës sulmi i ndodhur pranë Rietit nga kriminelë që janë shndërruar në vrasës dhe që kurrsesi nuk mund të quhen tifozë. Sporti është jetë, ndërsa këta janë vetëm kriminelë.”
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa komuniteti sportiv është bashkuar në thirrjen për drejtësi dhe dënimin e ashpër të autorëve të këtij akti të rëndë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: