Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

‘Gjyshi superaktiv’/ Jo thjesht një trajner, por një fenomen: në Francë ka shpërthyer ‘Luis Enrique-mania’

‘Gjyshi superaktiv’/ Jo thjesht një trajner, por një fenomen: në Francë ka shpërthyer ‘Luis Enrique-mania’

17:11, 17/10/2025

Regjim ushqimor i hekurt, palestër çdo ditë dhe… një gotë verë për kënaqësi. Kështu e përshkruan gazeta franceze L’Équipe trajnerin e Paris Saint-Germain, Luis Enrique, i cili në moshën 55-vjeçare vazhdon të jetojë si një sportist profesionist.

Ndërsa shumë trajnerë zgjedhin një mënyrë jetese më të qetë, tekniku spanjoll është i pandalshëm: ecje zbathur, vrapime në natyrë dhe orë të tëra me biçikletë janë pjesë e përditshmërisë së tij. Që nga mbërritja në Paris në vitin 2023, Luis Enrique ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për sukseset e tij me PSG-në, përfshirë triumfin në Ligën e Kampionëve, por edhe për formën e tij fizike mbresëlënëse.

Tifozët parizienë janë mahnitur nga “raporti pothuajse obsesiv që ai ka me trupin e vet”, siç e përshkruajnë mediet franceze. L’Équipe e ka quajtur me humor “gjyshi superaktiv”, duke luajtur me fjalët e vetë trajnerit, i cili është një frekuentues i rregullt i palestrës dhe shpesh merr trajtime me fizioterapistët e klubit, ashtu si lojtarët e tij. “Kur vonohet, të gjithë e dimë që është në palestër ose te fizioterapistët,” thonë nga ambienti i PSG-së.

As dëmtimet nuk e kanë ndalur. Në shtator, një rrëzim me biçikletë (një nga pasionet e tij më të mëdha) i shkaktoi një frakturë në klavikul, gjë që e detyroi të ulte ritmin përkohësisht. “Nuk mund të stërvitem si një atlet, sepse jam 55 vjeç; jam më shumë një gjysh sesa një sportist profesionist,” tha me humor Luis Enrique. “Por mbetem shumë aktiv, më pëlqen të bëj sport dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua si person.”

Së fundmi, pas disa ndeshjeve që i ka ndjekur nga tribuna, trajneri spanjoll ka tërhequr sërish vëmendjen për fizikun e tij muskuloz, rezultat i një diete të kontrolluar me kujdes, që mediet franceze e quajnë sërish “pothuajse obsesive”. Dita e tij nis me një kafe të përzgjedhur, të cilën e ndan me stafin, e vijon me ushqime të balancuara, të pasura me perime dhe produkte natyrale.

Me gjithë disiplinën e hekurt, Luis Enrique nuk e mohon ndonjë kënaqësi të vogël. Ai rrallë del pas ndeshjeve, por kur e bën, zgjedh restorantet në zonën e tij të preferuar në perëndim të Parisit. “Dobësia” e vetme që miqtë i pranojnë është një gotë e mirë vere. Një kombinim perfekt mes rigorozitetit fizik dhe qartësisë taktike që po udhëheq PSG-në drejt sukseseve të reja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco