Gjykimi ndaj pilotit australian të akuzuar për përdhunimin e infermieres së Michael Schumacher nuk ka mundur të fillojë, pasi i dyshuari është zhdukur, raporton media holandeze ‘De Telegraaf’.
Sipas raportimeve, piloti, i cili fillimisht ka bashkëpunuar me hetimet, dyshohet se është kthyer në vendin e tij të origjinës, duke u arratisur. Për këtë arsye, gjykimi, që duhej të fillonte këtë të mërkurë në Nyon, Zvicër, është shtyrë dhe autoritetet kanë nisur kërkimin e tij, sipas kërkesës së avokatit të tij.
I dyshuari, i pezulluar më parë për doping, ishte kthyer në Australi pas një seance pyetjesh në vitin 2024. Që atëherë nuk ka pasur asnjë informacion për vendndodhjen e tij, edhe pse gjykata kishte njoftuar saktësisht datën e fillimit të procesit. Shtyrja e gjykimit mund të çojë në vazhdimin e hetimeve në vitin 2026.
Ngjarjet e dyshuara kanë ndodhur në banesën e Michael Schumacher në Grand, Zvicër, më 23 nëntor 2019. I dyshuari ishte mik i ngushtë i Mick Schumacher, djali i kampionit, dhe kishte leje për të qëndruar në pronë kur ishte e nevojshme.
Hetuesit dyshojnë se ai ka shfrytëzuar momentet pas një feste në banesë për të sulmuar dy herë infermieren, ndërkohë që familja Schumacher nuk ishte në shtëpi. Autoritetet po përpiqen të sqarojnë të gjitha detajet sapo të lokalizojnë vendndodhjen e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: