Në një mbrëmje të ndezur në Kasablanka, Egjipti konfirmoi statusin e tij si një nga superfuqitë e futbollit afrikan, duke siguruar një biletë të çmuar për Kupën e Botës 2026. Kombëtarja egjiptiane triumfoi bindshëm me rezultatin 0-3 ndaj Xhibutit në një sfidë të dominuar nga minuta e parë deri në fund, me kapitenin Mohamed Salah që vulosi suksesin me dy gola të realizuar mjeshtërisht.
Me këtë fitore, “Faraonët” ngjiten në kuotën e 23 pikëve në Grupin A, pesë më shumë se ndjekësi më i afërt, Burkina Faso, dhe blindojnë vendin e parë që çon direkt në Botëror. Kjo do të jetë pjesëmarrja e katërt në histori për Egjiptin në një Kampionat Botëror, pas edicioneve të viteve 1934, 1990 dhe 2018.
Afrika tashmë ka tri përfaqësuese të kualifikuara: Maroku, Tunizia dhe tani Egjipti, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të nivelit të futbollit në kontinentin e vjetër. Salah, që mbetet lideri absolut i kësaj skuadre, tregoi edhe një herë pse është një nga yjet më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare.
Me këtë sukses, numri i kombëtareve të kualifikuara për Botërorin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë shkon në 19. Krahas tri vendeve organizatore, në listë gjenden emra të mëdhenj si Brazili dhe Argjentina. Pjesëmarrjen e kanë siguruar gjithashtu: Maroku, Tunizia, Jordania, Uzbekistani, Irani, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Kolumbia, Uruguai, Ekuadori, Paraguai dhe Zelanda e Re.
Egjipti, tashmë pjesë e kësaj elite, do të kërkojë të lërë gjurmë në edicionin më të zgjeruar të Kupës së Botës ndonjëherë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: