Zlatan Ibrahimovic, tashmë këshilltar i lartë i fondit “RedBird” dhe pjesë e stafit drejtues të Milanit, ka folur me stilin e tij të zakonshëm të sinqertë dhe plot vetëbesim gjatë takimit të ECA-s, duke reflektuar mbi rolin e tij të ri jashtë fushës.
“Po mësoj shumë dhe flas më pak,” – tha suedezi. – “Tani e shoh futbollin nga një kënd tjetër. Nuk e ndiej më të njëjtën adrenalinë si kur isha në fushë, prandaj çdo ditë stërvitem në palestër. Kur isha lojtar, shpesh mendoja: ‘pse nuk e bëjmë këtë apo atë gjë?’. Tani që jam nga ana tjetër e tavolinës, e kuptoj më mirë realitetin dhe jam bërë më realist.”
Duke folur për garat evropiane, Ibrahimovic nuk fshehu asnjëherë dëshirën që nuk e arriti:
“Do të kisha dashur ta fitoja Champions-in, por fundja, njerëzit më mbajnë mend më shumë se 90% e atyre që e kanë fituar. Kjo do të thotë diçka.”
Në fund, ish-sulmuesi i Milanit, Interit, Barcelonës e PSG-së, shtoi edhe një batutë për ish-klubin francez:
“Jam i lumtur që PSG më në fund e fitoi Champions-in, por vështirësia e vërtetë është ta përsëritësh. Të fitosh një herë është e madhe, por të mbetesh në majë është arti i vërtetë.”
Edhe jashtë fushës, Zlatan mbetet i njëjti: ambicioz, karizmatik dhe gjithmonë i bindur se legjendat nuk maten vetëm me trofe.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: