Autoritetet e Tibetit kanë konfirmuar se të gjitha personat që ishin prekur nga stuhia e borës në malin Everest janë tashmë të sigurt, pas një operacioni shpëtimi që zgjati gati katër ditë.
Sipas mediave kineze, rreth 900 persona, midis tyre alpinistë, udhërrëfyes dhe banorë vendas, mbetën të bllokuar nga një stuhi e fuqishme bore në luginën Gama, në rrugën drejt anës lindore Kangshung të Everestit. Operacioni nisi fundjavën e kaluar, kur reshjet e dendura të borës izoluan qindra turistë dhe guidat e tyre, dhe përfundoi të mërkurën në mbrëmje me shpëtimin e dyqind personave të fundit.
Në total, autoritetet raportuan se janë shpëtuar 580 alpinistë dhe mbi 300 punëtorë lokalë, përfshirë guida malore dhe barinj, të cilët janë strehuar përkohësisht në fshatin Qudeng. Atje po organizohet “kthimi i rregullt” i vizitorëve në vendet e tyre të origjinës, sipas agjencisë zyrtare Xinhua.
Një burim nga policia lokale e Qudengut konfirmoi për agjencinë EFE se nuk ka pasur asnjë viktimë si pasojë e ngjarjes.
Stuhia goditi gjatë natës së 4 tetorit, në një zonë që ndodhet në 4.200 metra lartësi mbi nivelin e detit, duke befasuar qindra alpinistë që ndodheshin në itinerar.
Muajt shtator dhe tetor zakonisht janë ndër më të përshtatshmit për të vizituar këtë rajon, pasi mungesa e reshjeve të shiut e bën të mundur të shijohen pamjet e mrekullueshme të Everestit dhe maleve përreth.
Në ditët e fundit, reshje të ngjashme bore janë regjistruar edhe në rajone të tjera malore të Kinës. Mbi 100 turistë u bllokuan në zonën Laohugou, në provincën perëndimore Qinghai, ndërsa moti i keq detyroi autoritetet të vendosin ndalime të përkohshme qarkullimi në zonën turistike Kanas të rajonit Xinjiang, për shkak të akullit dhe borës së akumuluar.


© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: