Cristiano Ronaldo ishte protagonisti kryesor i mbrëmjes gala “Portugal Football Globes”, ku ai u nderua me trofeun “Prestigio”, një çmim që vlerëson karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme me kombëtaren portugeze. Me Portugalinë, Ronaldo ka fituar Kampionatin Europian dhe Nations League, duke u bërë lojtari më përfaqësues dhe më i rëndësishëm në historinë e saj.
Në momentin e marrjes së trofeut, kapiteni i Portugalisë mbajti një fjalim emocionues, ku shprehu dashurinë e tij të thellë për ngjyrat e kombëtares:
“Kam 22 vjet me Kombëtaren dhe kjo flet vetë. Kam pasion për të veshur këtë fanellë, për të fituar trofe, për të luajtur për Portugalinë. Madje, them shpesh: nëse do të mundja, do të luaja vetëm për Kombëtaren, nuk do të luaja për asnjë klub tjetër, sepse është kulmi i një futbollisti.”
Pas ceremonisë, sulmuesi i Al Nassr tregoi sërish ambicien dhe dashurinë për futbollin, duke theksuar se ende nuk mendon për tërheqjen, pavarësisht dëshirës së familjes:
“Ende kam pasion për këtë lojë. Familja më thotë se ka ardhur koha të ndalem, më pyesin pse dua të shënoj 1000 gola kur kam shënuar tashmë mbi 900. Por unë nuk mendoj kështu. Ende po jap gjëra të mira, po ndihmoj klubin dhe Kombëtaren. Pse të mos vazhdoj? E di që kur të ndalem, do të largohem i plotësuar, sepse kam dhënë gjithçka. Dua të shijoj çdo moment, sepse e di që nuk më kanë mbetur shumë vite për të luajtur, por ato pak që kam, dua t’i shfrytëzoj në maksimum.”
I pyetur për objektivat e ardhshëm, Ronaldo u tregua i matur dhe realist:
“Do të jem i sinqertë: nuk e shoh si një obsesion. Nëse ma bëje këtë pyetje para 20 vitesh, ndoshta do të përgjigjesha ndryshe, me dëshirën për të pushtuar botën. Por tani shoh gjithçka ndryshe. Mosha të ndihmon të reflektosh. Kam filozofinë e të jetuarit ditë pas dite, sepse gjithçka mund të ndryshojë në një çast. Nuk mund të bësh plane afatgjata.”
Në skenë, ai foli edhe për Botërorin e ardhshëm, duke mbajtur një ton të përmbajtur:
“Objektivi ynë është të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme dhe të sigurojmë kualifikimin. Për Botërorin do të shohim më pas. Duhet të mendojmë vetëm për të tashmen, por me sytë përpara. Do të ishte një ëndërr, por gjithçka me hapa të vegjël.”
Në mbrëmje, Ronaldo ishte i rrethuar nga disa prej ish-bashkëlojtarëve të tij legjendarë si Rui, Pepe, Jorge Andrade, Beto, Quaresma, të cilët tashmë janë tërhequr nga futbolli, ndërsa ai vazhdon të jetë një nga liderët e Portugalisë:
“I pashë këtu Rui-n, Pepe-n, Quaresma-n… dhe mendova: ‘Unë jam ende këtu’. Ndoshta janë lodhur duke më parë në çdo ceremoni, por besoj se ende kam shumë për t’i dhënë Kombëtares dhe futbollit.”
Cristiano Ronaldo do të rikthehet në fushë si kapiten i Portugalisë këtë të shtunë kundër Irlandës, ndërsa tri ditë më vonë skuadra do të përballet me Hungarinë, dy ndeshje vendimtare për kualifikimin në Botërorin e ardhshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: