Një zyrtar i lartë i Federatës Japoneze të Futbollit (JFA) është dënuar me 18 muaj burg me kusht në Francë, pasi u kap duke parë imazhe që tregonin abuzim seksual ndaj fëmijëve gjatë një udhëtimi me avion.
Sipas gazetës franceze Le Parisien, drejtori teknik Masanaga Kageyama u arrestua javën e kaluar gjatë një ndalese në aeroportin “Charles de Gaulle” të Parisit. Ai më vonë pranoi se kishte parë imazhet, duke pretenduar se nuk ishte në dijeni se një veprim i tillë ishte i paligjshëm në Francë.
Kageyama po udhëtonte drejt Kilit, ku pritej të merrte pjesë në Kupën e Botës për moshën nën 20 vjeç.
Federata Japoneze e Futbollit njoftoi se kontrata e tij është ndërprerë menjëherë, duke e cilësuar rastin si “të papranueshëm për botën e futbollit”.
Sipas prokurorisë franceze, ekuipazhi i avionit kishte ngritur alarmin pasi kishte vënë re Kageyaman teksa shikonte imazhet pornografike në laptopin e tij, në kabinën e klasit të biznesit të një fluturimi të ‘Air France’. Kur u përball me akuzat, ai kishte pretenduar se fotot ishin “art” dhe se ishin krijuar nga inteligjenca artificiale, raportoi Le Parisien.
Të hënën, gjykata franceze e dënoi 58-vjeçarin me burg me kusht dhe me një gjobë prej 5 mijë eurosh (rreth 5,800 dollarë), si dhe me ndalim 10-vjeçar për të punuar me të mitur apo për t’u kthyer në Francë, raportoi agjencia AFP.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar të martën, JFA kërkoi ndjesë publike për “përgjegjësinë dhe shqetësimin” e shkaktuar nga ky incident.
“Kjo ngjarje është e papranueshme për botën e futbollit,” deklaroi kryetari i JFA-së, Tsuneyasu Miyamoto. “Edhe pse kemi punuar në drejtim të forcimit të integritetit, këtë rast do ta marrim si një mundësi për të rishikuar sistemin tonë të qeverisjes dhe për të përmirësuar më tej mekanizmat e pajtueshmërisë.”
Masanaga Kageyama është ish-futbollist profesionist, i cili u tërhoq nga karriera në vitin 1996 për të punuar si anëtar i stafit teknik në ekipe japoneze. Ai ka drejtuar gjithashtu skuadra në Makao dhe Singapor.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: