Lewis Hamilton po përjeton ende dhimbjen për humbjen e qenit të tij të dashur, Roscoe, shok i tij i pandashëm brenda dhe jashtë pistës. Bulldog-u i tij përfundoi në terapi intensive për shkak të një pneumonie, dhe pas katër ditësh pritjeje, Roscoe u nda nga jeta në krahët e Hamiltonit.
“Ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Nuk e fsheh emocionin, por tani jam gati të rikthehem tek ajo që dua: të garoj,” tha piloti britanik për Motorsport.com.
Hamilton falënderoi ekipin për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe premtoi të japë më të mirën e tij në fundjavën e Grand Prix të Singaporit, duke e bërë këtë edhe për kujtimin e Roscoe-s.
Në Baku, Ferrari e Hamiltonit nuk arriti të ruante ritmin e duhur, duke humbur edhe vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve. Hamilton theksoi se kishte mësuar nga gabimet, si zgjedhja e gabuar e krahut aerodinamik dhe përdorimi i gomave të gabuara në kualifikime:
“Tani është momenti të mësojmë nga gabimet. Kjo fundjavë do të kemi një qasje më të mirë, jam i sigurt për këtë.”
Piloti shtoi gjithashtu se ndihet rehat në makinën e Ferrarit dhe beson se mund të performojë mirë në pistën e Marina Bay. Ai gjithashtu bëri të qartë se nuk ka probleme me Leclerc-in pas keqkuptimit në Baku:
“Kam folur me Charles-in, gjithçka është në rregull. Do të përmirësojmë komunikimin për të siguruar që të mos ndodhë përsëri, dhe ju garantoj se nuk do të ndodhë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: