Andrea Agostinelli, ish-trajner i Partizanit dhe Flamurtarit në futbollin shqiptar, rrëfen për ‘Corriere della Sera” se si vdekja e djalit të tij, Gianmarco, në moshën 33-vjeçare, për shkak të drogës, është një plagë që nuk ka arritur kurrë ta shërojë, sado e mundur të ishte: “Është një fakt i panatyrshëm, një pjesë e zemrës shkon në nekrozë. Koha nuk fshin asgjë”.
Andrea Agostinelli dhe futbolli, një lidhje e pandarë
Futbolli ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës së Andrea Agostinellit, që nga ditët kur djali biond nga Ankona nisi të ndiqte një top futbolli në të rinjtë e Lazios, duke debutuar më pas në Serinë A në moshën 18-vjeçare, më 19 tetor 1975, kundër Perugias.
Sot Agostinelli është 68 vjeç dhe pas një karriere të gjatë si lojtar dhe trajner, ai vazhdon të jetë aktiv në stolin teknik. Në sezonin e fundit arriti ngjitjen në kategorinë më të lartë me Flamurtarin në Shqipëri, “por vendosa të largohem për shkak të mospërputhjeve në programim me shoqërinë”.
Por jeta e tij është shënuar nga dhimbja ndoshta më e madhe që një njeri mund të përjetojë: humbja e një fëmije. Gianmarco ndërroi jetë në vitin 2014, në moshën 33-vjeçare, në rrethana të lidhura me përdorimin e drogës. Një humbje që Andrea nuk ka arritur kurrë ta kapërcejë plotësisht, duke vazhduar t’i bëjë vetes pyetje pa përgjigje: “Po sikur të mos e kisha lënë vetëm atë natë? Pse mua?”.

Vdekja e Gianmarco Agostinellit në moshën 33-vjeçare
Gianmarco Agostinelli u gjet pa jetë mëngjesin e 24 gushtit 2014, në një dhomë hoteli në Montecatini Terme. Trupi i tij u zbulua nga personeli i pastrimit. Raporti i parë mjekësor tregoi si shkak të mundshëm të vdekjes arrestin kardiocirkulator, ndërsa në dhomë u gjetën disa doza kokaine, disa të konsumuara.
“Të gjitha ato që janë lexuar, për fat të keq janë të vërteta”, konfirmon sot tekniku nga Marche për përdorimin e kokainës.
Agostinelli kujton kur djali i tij ra në varësinë që do t’i kushtonte jetën: “Filloi ta përdorte në vitin 2003, kur unë stërvisja Napolin. Dhe të mendosh që në shtëpinë time nuk kishte hyrë kurrë asgjë, as edhe një cigare. Kur unë dhe gruaja ime e zbuluam, ai u justifikua: ‘E bëjnë të gjithë’. E çuam në komunitet dhe falë njohjeve të mia ai arriti të hynte në futboll. Madje kishte debutuar edhe në C2”.

Dhimbja pa fund e një babai
Karriera sportive nuk mjaftoi për ta larguar Gianmarco-n nga droga dhe sot ajo që ka mbetur është dhimbja e pashuar e Andrea Agostinellit:
“Kur përjeton një tragjedi të tillë, gjysma jote vdes bashkë me të, nuk ngrihesh më – shpjegon Agostinelli për ‘Corriere della Sera’. – Është një fakt i panatyrshëm, një pjesë e zemrës shkon në nekrozë. Dhimbja mund të mësohet vetëm si ta menaxhosh. Koha nuk fshin asgjë.
Edhe për gjërat më të vogla jam fajësuar. Shumë herë i kam thënë vetes: ‘Po sikur të mos e kisha lënë vetëm atë natë?’. Nuk mund ta pranoja. ‘Pse mua’, pyesja veten. Nuk ka një moment të ditës që të mos e mendoj. Ende është e rëndë”.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: