Merkatoja verore ka sjellë një tronditje të madhe për klubet e mëdha të Serisë A, sidomos në ditët e fundit të saj. Kampionati që rifillon pas ndeshjeve të kombëtareve do të ketë një pamje krejtësisht të re.
Napoli, kampion në fuqi, ka bërë ndërhyrjet më të thella për t’i dhënë Antonio Contes një skuadër të kompletuar dhe shumëformëshe, në funksion edhe të Champions League. Janë afruar Hojlund në sulm dhe Beukema në mbrojtje, ndërsa mesfusha ofron një përzierje mes forcës (Anguissa, McTominay), teknikës (De Bruyne) dhe stabilitetit (Lobotka). Conte ka në dorë shumë skema nga 4-3-3 deri te dyshja e sulmit.
Inter ka nisur një epokë të re me Chivu, duke rinovuar alternativat në çdo repart. Janë afruar Bonny, Pio Esposito, Sucic dhe Diouf, ndërsa Akanji sjell eksperiencë në prapavijë pas largimit të Pavard. Sistemi i lojës nuk ndryshon shumë nga koha e Inzaghit, por trajneri pritet të eksperimentojë më tepër. Mungesa e një lojtari që të “thyejë” mbrojtjet, si Lookman, mbetet një pikë e dobët.
Juventus ka mbajtur Vlahovic-in dhe ka shtuar emra të rinj si David, Openda e Zhegrova. Igor Tudor ka një arsenal ofensiv që e detyron të mendojë për skema të tjera përveç 3-4-2-1 klasik. Fleksibiliteti i lojtarëve si Openda dhe Zhegrova i jep mundësi të provojë me dy sulmues dhe me rotacione të shumta.
Milan, i gjallëruar në fund të merkatos, ka kompletuar një mesfushë me Modric, Rabiot, Fofana dhe Ricci, ndërsa përpara mund të llogarisë mbi emra Leao, Pulisic, Gimenez dhe Nkunku. Shumëllojshmëria taktike e bën skuadrën të paparashikueshme, mes 4-3-3, 3-5-2 apo edhe me dy trekuartistë.
Te skuadrat romane, Roma e Gasperinit nuk realizoi dot goditjet e fundit (Sancho, George), por ka alternativa si Dybala, El Shaarawy dhe Soulé. Lazio nuk ka bërë merkato, por mbështetet tek puna e trajnerit pa ngarkesën e kupave.
Bologna fitoi Rowe për krahun e majtë, Atalanta shtoi Musah, ndërsa Fiorentina mori Lamptey dhe Nicolussi Caviglia për të pasuruar zgjedhjet e Piolit. Como, me Fabregasin në stol, vazhdon të befasojë me afrime si Diego Carlos dhe Morata, duke synuar një vend europian.
Kjo Seria A e rinovuar premton intensitet dhe skenarë të rinj taktikë, ku asnjë nga të mëdhatë nuk do të ngjajë më me versionin e fillimit të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: