Fenerbahçe ka zyrtarizuar afrimin e bujshëm të portierit brazilian Ederson Moraes, i cili pas shtatë sezoneve të suksesshme me Manchester City-n vendos të nisë një aventurë të re në Turqi. Transferimi është mbyllur për rreth 15 milionë euro me bonuse të përfshira, ndërsa ish-portieri i Benfica-s ka firmosur një kontratë trevjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Në prezantimin e tij në Stamboll, 32-vjeçari shprehu entuziazmin për këtë hap të ri në karrierë:
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Objektivi im është të fitojmë kampionate dhe të ndihmoj skuadrën. Është një sfidë e re dhe shumë e rëndësishme për mua. Besoj se do të jetojmë gjëra të mëdha dhe do të shfrytëzoj çdo moment që jam këtu. Me mbështetjen e tifozëve, do të kemi një sezon të shkëlqyer.”
Drejtori i futbollit i Fenerbahçes, Devin Ozek, e cilësoi këtë lëvizje si një hap historik për klubin:
“Jemi shumë të lumtur. Në opinionin tim, Ederson është një nga pesë portierët më të mirë në botë. Ky transferim po komentohet në të gjithë botën.”
Një karrierë e mbushur me trofe
Ederson filloi karrierën si profesionist në Ribeirão, për të kaluar më pas te Rio Ave dhe më vonë te Benfica, ku u afirmua në arenën evropiane. Në vitin 2017 ai u transferua te Manchester City, klub ku fitoi gjithçka: Premier League, FA Cup, Carabao Cup dhe kulmin me triumfin në Champions League. Me stilin e tij modern dhe lojën me këmbë, braziliani u shndërrua në një element kyç të skuadrës së Pep Guardiolës.
Tani, në një kapitull të ri me Fenerbahçen, Ederson pritet të jetë jo vetëm një lider mes shtyllave, por edhe një figurë simbol e projektit ambicioz të klubit turk, që kërkon të rikthehet fuqishëm në elitën evropiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: