Lajme pozitive vijnë për Chris Froome pas aksidentit të rëndë rrugor që pësoi një ditë më parë gjatë një stërvitjeje në Saint-Raphael, Francë. Skuadra e tij, Israel-Premier Tech, njoftoi se çiklisti britanik ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale të kryer pas dëmtimeve të shumta që mori pasi u përplas nga një automjet.
Froome, fitues i 4 Tour de France, 2 Vuelta de España dhe 1 Giro d’Italia, kishte pësuar frakturë të një vertebre dhe thyerje të pesë brinjëve. Fatmirësisht, operacioni ka shkuar sipas planit dhe gjendja e tij tashmë është më e qëndrueshme.
Në komunikatën zyrtare, skuadra bëri të ditur:
“Mund të konfirmojmë se Chris është operuar me sukses. Procedurat kanë shkuar siç ishte planifikuar, ai ndodhet në spital dhe po merr kujdesin e nevojshëm nga mjekët dhe stafi shëndetësor. Chris është me humor të mirë dhe shumë mirënjohës për mbështetjen e shkëlqyer mjekësore që ka marrë. Ai dhe familja e tij dëshirojnë të falënderojnë tifozët, miqtë dhe gjithë komunitetin e çiklizmit për interesimin dhe mesazhet e shumta të mbështetjes.”
Ky është një tjetër provim i vështirë në karrierën e 40-vjeçarit britanik, i cili në të kaluarën ka kaluar edhe aksidente të tjera të rënda, por gjithmonë ka treguar forcë dhe vendosmëri për t’u rikthyer në pedalim.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: