“Nuk kam asnjë peng, me të gjitha problematikat që kemi pasur ky ishte maksimumi ynë. Kemi pasur probleme të mëdha në lëvizjen e lojtarëve për shkak të dëmtimeve. Megjithatë, kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë dhe historik për Dinamon. Me ato mungesa që kemi dhe me largimin e dy sulmuesve kryesorë, nuk mund t’i zëvendësonim për një muaj. I përshëndes djemtë për rrugëtimin që bënë. Kemi dy ditë kohë që të rikuperojmë energji, ndërsa për kampionatin nuk flas dot, pasi jam i pezulluar nga një gjyqtar tjetër.
A është Dinamo favorite për titullin kampion? Kampionati nuk ka nisur ende, por këto ditë pritet të bëjmë ndërhyrje në merkato, pasi na nevojiten lojtarë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Nuk mund të them se çfarë do të arrijmë, por nga vetë historia që ka Dinamo, objektivat janë gjithmonë madhorë. Më mirë t’i marrim gjërat me qetësi, të shfrytëzojmë lojtarët që kemi dhe të punojmë me të rinjtë. Rrugës do të shohim se çfarë ecurie do të ketë skuadra.
Është e vërtetë që ndërhyrjet duhej të ishin bërë më herët, në janar, pasi dihej që Itodo dhe Zabërgja do të largoheshin. Duhej të kishim gjetur zëvendësues që në atë kohë. Sot do të përballeshim më denjësisht, megjithëse Jagiellonia e tregoi qartë cilësinë e saj që në ndeshjen e parë. Do të më kishte pëlqyer që ta mbyllnim me fitore, sepse iu afruam asaj gjëje. Gjithsesi, bëmë një rrugëtim të mirë me këtë kontingjent”, u shpreh Daja.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: