Trajnerja e re e Kombëtares U-19 të vajzave, Daniela Kodra, ka dhënë një prononcim për fshf.org, ku ka ndarë emocionet dhe përgjegjësinë e marrjes së detyrës së re.
Ajo theksoi se ndihet e lumtur dhe krenare për këtë hap të rëndësishëm në karrierë, duke falënderuar presidentin Armand Duka dhe drejtuesit e FSHF-së për besimin e dhënë.
“Jam shumë e lumtur dhe krenare. Njëkohësisht është një përgjegjësi shumë e madhe. Gjej rastin të falënderoj presidentin e FSHF, Armand Duka. Gjithashtu edhe drejtorin teknik, Fulvio Pea për besimin që më kanë dhënë për të drejtuar Kombëtaren U-19 të vajzave.
Emocionet janë të veçanta, pasi vij nga një eksperiencë fantastike nga Kombëtarja A e vajzave dhe Kombëtarja U-15. Eksperienca te Kombëtarja A më ka ndihmuar goxha shumë, duke parë mënyrën si menaxhohet dhe organizohet një ekip kombëtar.
Gjej rastin të falënderoj shumë edhe Armir Grimën, ish-trajnerin tim dhe sot koleg, për mbështetjen dhe besimin që më ka dhënë gjatë gjithë kësaj kohe”, tha trajnerja e Kombëtares U-19 për vajza.
Më tej, Kodra theksoi rëndësinë e krijimit të një grupi harmonik për t’u përgatitur denjësisht për eliminatoret e Europianit U-19 në nëntor.
“Do të mundohemi të krijojmë një grup sa më harmonik. Një grup ku fryma e bashkëpunimit do të jetë një nga tiparet kryesore. Presim me padurim ndeshjet që kemi në nëntor, eliminatoret e Kampionatit Europian U-19 për vajza. Do mundohemi të përgatitemi në mënyrë sa më dinjitoze nga ana tekniko–taktike dhe të përfaqësojmë kombin tonë, ngjyrat kuqezi në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Daniela Kodra.
Ajo vuri në dukje gjithashtu ndryshimet pozitive që ka pësuar futbolli i vajzave në Shqipëri falë investimeve të FSHF-së dhe mbështetjes nga UEFA e FIFA
“Duke qenë pjesë e futbollit të vajzave që në fillimet e saj në Shqipëri mendoj se ka pasur ndryshime shumë pozitive, duke nisur që nga infrastruktura, që nga kampionati, që normalisht sa vjen edhe bëhet më konkurrues, duke shtuar kampionatet e moshave, projektet që vijnë nga UEFA dhe FIFA për futbollin e vajzave. Mendoj që çdo vajzë që në moshë të vogël ka mundësi ta ndjekë futbollin njëjtë si djemtë. Kjo falë investimeve që janë bërë nga Federata e Futbollit”, përfundoi Daniela Kodra.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: