Japonia dhe Holanda kanë ndarë pikët në ndeshjen e parë të Grupit F në Botërorin 2026, duke barazuar 2-2 në stadiumin “AT&T” të Arlingtonit në Teksas.
Pas një pjese të parë pa shumë emocione, gjithçka ndryshoi pas pushimit, kur katër golat e takimit erdhën në një ndeshje që dhuroi spektakël për tifozët e pranishëm.
Holanda kaloi në avantazh në minutën e 50-të me kapitenin Virgil van Dijk. Mbrojtësi realizoi me kokë pas një aksioni të ndërtuar mirë, duke shënuar golin e tij të 13-të me përfaqësuesen.
Përgjigjja e Japonisë erdhi vetëm shtatë minuta më vonë. Takefusa Kubo shërbeu për Keito Nakamurën, i cili u kthye bukur dhe goditi saktë për të barazuar shifrat në 1-1.
Megjithatë, “Tulipanët” rikthyen epërsinë në minutën e 64-t me Crysencio Summerville. Sulmuesi përfitoi nga një asist i Ryan Gravenberch dhe me një goditje të majtë mposhti portierin Zion Suzuki për rezultatin 2-1.
Kur dukej se Holanda po shkonte drejt fitores, Japonia gjeti forcën për të reaguar në fund. Në minutën e 88-të, Daichi Kamada shfrytëzoi një goditje këndi të Koki Ogawas dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur barazimin 2-2 dhe duke ndezur festën e tifozëve japonezë.
Me këtë rezultat, Holanda zgjat në 17 ndeshje serinë pa humbje në fazën e grupeve të Botërorit, por humbi mundësinë për ta nisur turneun me tri pikë. Nga ana tjetër, Japonia tregoi karakter të madh duke mos u dorëzuar deri në sekondat e fundit.
Në ndeshjet e ardhshme të Grupit F, Holanda do të përballet me Suedinë në Hjuston, ndërsa Japonia do të luajë kundër Tunizisë në Monterrey të Meksikës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: