Fitorja në Çmimin e Madh të Spanjës ka rikthyer optimizmin te Ferrari, që tashmë beson se mund të luftojë sërish për titullin e pilotëve në Formula 1. Megjithatë, në Maranelo po shtrohet një pyetje e rëndësishme: mbi cilin pilot duhet të përqendrohen për ta realizuar këtë objektiv?
Statistikat japin arsye për optimizëm. Në tetë nga dhjetë sezonet e fundit, fituesi i garës së Barcelonës ka përfunduar duke u shpallur kampion bote. Kjo e bën suksesin e Ferrarit në Katulonjë një sinjal inkurajues, edhe pse sezoni vazhdon të jetë i hapur dhe rregullorja e re teknike ka sjellë ndryshime të mëdha nga një garë në tjetrën.
Aktualisht, Mercedesi mbetet skuadra për t’u mundur, por diferenca ndaj rivalëve është ngushtuar ndjeshëm. Lider i kampionatit është Andrea Kimi Antonelli, ndërsa pas tij vjen Lewis Hamilton me 41 pikë më pak. Situata është më e vështirë për Charles Leclerc, i cili ndodhet 81 pikë larg kreut, pothuajse dyfish më shumë se shoku i tij i skuadrës.
Kjo diferencë ka bërë që gjithnjë e më shumë të diskutohet mundësia që Ferrari ta shpallë Hamiltonin si pilotin e parë të ekipit për pjesën e mbetur të sezonit. Britaniku shtatë herë kampion bote po kalon një formë shumë të mirë dhe deri tani nuk ka përfunduar asnjë garë më poshtë se vendi i gjashtë. Përveç triumfit në Spanjë, ai ka siguruar edhe tri podiume të tjera.
Megjithatë, një vendim i tillë nuk do të ishte i lehtë. Leclerc sapo ka rinovuar kontratën afatgjatë me Ferrarin dhe ka qenë pjesë e skuadrës gjatë viteve të vështira. Kalimi i tij në rolin e pilotit të dytë do të përbënte një goditje të rëndë për monegaskun.
Nga ana tjetër, tifozët e Ferrarit presin prej vitit 2007 një titull të pilotëve, që nga koha kur Kimi Räikkönen u shpall kampion bote me skuadrën italiane. Për këtë arsye, shumë mendojnë se Ferrari duhet të lërë mënjanë sentimentalizmin dhe të përqendrojë të gjitha forcat te Hamiltoni, pilot që aktualisht duket se ka shanset më të mëdha për t'i rikthyer titullin e munguar prej gati dy dekadash.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: