Arrigo Sacchi pas stuhisë shkatërruese: Jam me fat që jam ende gjallë

Arrigo Sacchi pas stuhisë shkatërruese: Jam me fat që jam ende gjallë

13:37, 25/08/2025

Ish-trajneri i kombëtares italiane, Arrigo Sacchi, ka përjetuar momente dramatike pas një stuhie të fuqishme që goditi zonën e Milano Marittima, në komunën e Cervias. Shiu i rrëmbyeshëm dhe era shkatërrimtare lanë pas vetes dëme të mëdha në shtëpinë e tij dhe në gjithë zonën përreth.

“Ka qenë një katastrofë e vërtetë, nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë diçka të tillë. Jam me fat që jam ende gjallë”, u shpreh Sacchi, i tronditur nga ajo që pa kur doli në rrugë pas stuhisë. Pamja e pishave të shkulura nga toka dhe e rrëzuara mbi makina e shtëpi e përshkroi si “diçka të tmerrshme”.

Sipas dëshmive, gjithçka ndodhi në pak më shumë se gjysmë ore, mes orës 04:00 dhe 04:40 të mëngjesit, kur një kombinim i fuqishëm shiu dhe ere shkaktoi rrëzimin e dhjetëra pemëve e dëme të mëdha në banesa.

“Isha në gjumë dhe nuk dëgjova asgjë – tha Sacchi për Il Resto del Carlino. – Kur u zgjova dhe pashë çfarë kishte ndodhur, mendova menjëherë se kisha shpëtuar për mrekulli. Ishte një ngjarje traumatike, pa precedent”.

Ndërkohë, zjarrfikësit dhe forcat e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë ditës për të pastruar rrugët dhe për të garantuar sigurinë në zonën e prekur, ku dëmet llogariten të jenë shumë të mëdha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco