Kevin De Bruyne është bërë menjëherë vendimtar në Serinë A, duke shënuar golin e dytë në fitoren e Napolit ndaj Sassuolos në ndeshjen e parë të kampionatit. Belgu foli për ‘Corriere della Sera’:
“Fitore e rëndësishme për ta nisur mirë. Ky është një grup që mund të luftojë për titull, por nuk jemi të vetmit. Pas suksesit të vitit të kaluar, është gjithmonë e vështirë të përsëritesh. Interi ka më shumë vazhdimësi se të tjerët dhe mbetet shumë i fortë, ndërsa Milani, pavarësisht nisjes jo të mirë, mund të bëhet i rrezikshëm.”
Përballë zgjedhjes mes Champions-it dhe Serisë A, KDB u shpreh:
“Është e vështirë të zgjedhësh, por Champions-in e kam fituar, ndërsa Serinë A kurrë...”
Mungesa e Lukakut e komplikon situatën:
“Një humbje e rëndë, por skuadrat e mëdha kanë gjithmonë alternativa. Lucca mund të shfrytëzojë këtë mundësi.”
De Bruyne shpjegoi pse zgjodhi Napolin:
“Pata shumë oferta, por kjo ishte më e mira: kampionët e Italisë, Champions League dhe një trajner si Conte.”
Më tej foli për ndryshimet mes Contes dhe Guardiolës:
“Janë shumë të ndryshëm në metodë dhe qasje. Conte kërkon shumë nga grupi, krijon ekipe kompakte me një bllok të vetëm. Nëse nuk punon fort, je jashtë. Kjo rrit intensitetin dhe nivelin e përgjithshëm.”
Për ata që e kritikuan për moshën, ashtu si edhe transferimin e Modric-it, 34-vjeçari kishte një përgjigje të qartë:
“Jam pothuajse si para 10 vitesh. Si i ri, isha më dinamik, por tani kam më shumë eksperiencë. Luka nuk është më i ri, as unë, por mund të japim diçka ndryshe: ai sjell përvojën nga Spanja dhe Anglia, unë atë të Premier League-s.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: