Në prag të debutimit të tij si trajner i Interit në Serie A, Cristian Chivu ka folur për gjendjen e skuadrës pas një faze përgatitore të shkurtër, por intensive. Tekniku rumun u shpreh se ekipi është i etur për fillimin e sezonit dhe i gatshëm të përballet me sfidat që e presin. Ai theksoi rëndësinë e karakterit, vazhdimësisë dhe menaxhimit të momenteve të vështira si elementët kyç për të arritur objektivat madhorë. Sa i përket merkatos, Chivu nënvizoi se Interi ka zgjedhur një linjë të qartë, duke investuar te të rinjtë me potencial, ndërsa çdo afrim i ri është gati për të dhënë kontributin e tij. Përballja e parë me Torinon shihet si një test i rëndësishëm, por trajneri siguroi se skuadra nuk ka frikë, sepse beson tek puna e bërë dhe tek mentaliteti fitues.
Si është gjendja e skuadrës pas përgatitjeve?
Kemi punuar mirë në këto katër javë. Ishte një përgatitje e shkurtër, por intensive. Jemi ende në ndërtim, por ndihemi gati dhe mezi e prisnim fillimin e kampionatit.
Sa ndikon merkatoja?
Tregu ka qenë i pikësynuar. Disa objektiva nuk ishin të shitshëm, siç ndodh edhe me lojtarët tanë. Linja e klubit është e qartë: investim te të rinjtë me potencial. Ata që kemi marrë janë gati të na ndihmojnë.
Oriali tha se Interi është favorit absolut. A pajtoheni?
Unë jam dakord me Allegrin; kush fiton titullin një sezon, është favorit sezonin pasues. Napoli me atë që ka bërë mbetet skuadra për t’u mundur.
Çfarë i duhet skuadrës suaj për të pasur frymën e “tripletës”?
Karakter, vazhdimësi në punë dhe aftësi për t’i menaxhuar momentet, sidomos ato të vështirat. Pa këto nuk arrin deri në fund.
Çfarë mendoni për faktin se merkatoja është e hapur edhe pas fillimit të sezonit?
Janë rregulla të UEFA-s dhe FIFA-s. Do të donim qetësi, por një trajner duhet të dijë t’i menaxhojë edhe pasiguritë, edhe mendimet e lojtarëve. Është pjesë e lojës.
A keni frikë nga fillimi?
Nuk kemi frikë. Kur je i ndershëm me punën dhe përgatitjen tënde, nuk ka arsye të trembesh. Mentaliteti bën diferencën.
Çfarë ndjesie keni për debutimin tuaj si trajner i Interit?
Jam krenar dhe i vetëdijshëm për përgjegjësinë. Jam i qetë sepse, kur jep maksimumin, gjërat bëhen më të thjeshta. E rëndësishme është që më në fund po fillon sezoni.
Çfarë Torino prisni?
Një skuadër të fortë, të organizuar, me trajner të ri si Baroni, që e respektoj shumë. Kundërshtari do të vijë të luajë pa presion.
A preferoni Lookman apo lojtarë të ngjashëm?
Unë dua cilësi, jo sasi. Disa emra që donim nuk u realizuan, por ne kërkojmë gjithmonë lojtarë që mund të rrisin nivelin e skuadrës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: