Real Madridi vazhdoi formën pozitive në La Liga duke mposhtur 3-0 Real Oviedon në “Estadio Municipal Carlos Tartiere”, duke e çuar në shtatë ndeshje serinë pa humbje ndaj këtij rivali. Për Xabi Alonson, kjo ishte fitorja e dytë radhazi në kampionat pas suksesit minimal ndaj Osasunës në debutim.
Alonso vendosi ta linte Vinícius Júnior në stol, duke i dhënë shansin Rodrygos, i cili pati mundësinë e parë për gol, por u ndal nga portieri Escandell. Real Madrid nuk krijoi shumë raste në gjysmën e parë, derisa një moment gjenialiteti i Kylian Mbappésë zhbllokoi takimin. Francezi u kthye bukur në zonë pas asistit të Arda Güler dhe goditi saktë për 1-0 pak para pushimit.
Pjesa e dytë solli më shumë guxim nga Oviedo, por pa rrezikuar seriozisht portën e Courtois. Reali kishte mundësinë të thellonte avantazhin me Valverden, ndërsa në minutat vendimtare, Mbappé tregoi sërish klasin e tij. Pas një asisti të Vinícius, ai shënoi golin e dytë për “Los Blancos”, duke vulosur praktikisht ndeshjen.
Në fund, vetë Vinícius shtoi golin e tretë pas një kombinimi me Brahim Díaz, duke i dhënë rezultatit pamjen përfundimtare 3-0. Portieri Escandell shpëtoi Oviedon nga një humbje më e thellë, duke i mohuar Mbappé-së një ‘hat-trick’.
Me këtë fitore, Real Madrid tregon se po përshtatet shpejt me idetë e Alonso-s, duke regjistruar dy fitore pa pësuar gol. Ndërkohë, Oviedo mbetet pa gol pas dy javësh, por trajneri Veljko Paunović mori sinjale pozitive nga paraqitja e skuadrës së tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: