Pas dështimit të tratativës për Victor Boniface, i cili u kthye në Gjermani pas vizitave mjekësore duke i dhënë fund çdo mundësie për kalimin te Milani, klubi kuqezi ka lëvizur me shpejtësi për të gjetur sulmuesin e ri. Zgjedhja ka rënë mbi Conrad Harder, talent danez i lindur në vitin 2005 dhe në pronësi të Sporting Lisbonës.
Sipas medieve italiane, drejtuesit e Milanit kanë arritur një marrëveshje paraprake me klubin portugez për një transferim prej 27 milionë eurosh, bonuset e përfshira, si dhe një përqindje prej 10% mbi një shitje të ardhshme. Agjenti i Harder u pa në mëngjes në “Casa Milan”, ku zhvilloi një takim me Giorgio Furlanin, Igli Taren dhe Massimiliano Allegrin për të përcaktuar hapat e fundit të merkatos.
Harder, i cili u ble nga Sportingu sezonin e kaluar si pasuesi i Gyökeres, ishte i kërkuar edhe nga Rennes, por sapo u shfaq mundësia e Milanit, vendosi të bllokojë pistën franceze. Për të, kuqezinjtë kanë gati një kontratë pesëvjeçare me pagë që nis nga 1,5 milionë euro dhe mund të shkojë deri në 2 milionë me bonuse.
Ndërkohë, në horizont nuk përjashtohet as pista Dusan Vlahovic. Juventus mund të propozojë një shkëmbim me Alexis Saelemaekers, i cili shihet si përforcim i vlefshëm nga Igor Tudor, sidomos në rastin e largimit të Nico Gonzalez drejt Atletico Madridit. Një hipotezë e vështirë, por që mund të bëhet realitet në ditët e fundit të merkatos.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: