Napoli ka debutuar me fitore në kampionatin e ri, duke mposhtur Sassuolon në transfertë me rezultatin 0-2. Skuadra e Antonio Contes tregoi siguri dhe efikasitet, duke e nisur me këmbën e mbarë mbrojtjen e titullit kampion.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe që në minutën e 17-të miqtë gjetën avantazhin. Një krosim perfekt i Matteo Politano-s u shfrytëzua në mënyrë ideale nga Scott McTominay, i cili me një goditje me kokë të fuqishme e dërgoi topin në rrjetë për 0-1, pa i lënë asnjë mundësi portierit Turati. Napoli mund të kishte dyfishuar shifrat në fund të pjesës së parë, por mesfushori skocez u ndal nga traversa pas një goditjeje të fuqishme nga distanca.
Në pjesën e dytë, kampionët në fuqi vulosën fitoren me një perlë të Kevin De Bruyne-s. Në minutën e 57-të, belgu ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi, duke e dërguar topin drejt cepit të djathtë të portës për rezultatin 0-2.
Sassuolo nuk arriti të reagojë, madje mbeti me 10 lojtarë në minutën e 79-të, kur Ismael Kone u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve. Napoli administroi qetësisht ndeshjen deri në fund, ndërsa Conte aktivizoi edhe afrimet e reja si Noa Lang dhe Billy Gilmour.
Me këtë fitore, Napoli tregon se është gati të mbrojë fronin e Serisë A, ndërsa Sassuolo-s i mbetet me shumë për të rregulluar pas një starti të vështirë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: