Marseille arriti fitoren e parë në Ligue 1 këtë sezon, duke mposhtur Paris FC me rezultatin 5-2 në “Orange Vélodrome”, në takimin e parë mes tyre që prej sezonit 1981/82.
Sfida nisi me emocione, pasi Geubbels goditi shtyllën për miqtë, ndërsa në anën tjetër Aubameyang u ndal po nga trau, përpara se të fitonte një penallti. Mason Greenwood u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke hapur serinë e golave për marsejezët. Vetëm pak minuta më vonë, sulmuesi gabonez dyfishoi shifrat pas një asistimi nga Greenwood, duke arritur në kuotën e 300 kontributeve direkte në ligat kryesore europiane.
Paris FC nuk u dorëzua dhe reagoi me një supergol të Kebbal, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Moses Simon barazoi 2-2, duke shënuar për herë të parë ndaj Marseille. Loja u bë e hapur, por gabimet e mbrojtjes së miqve u shfrytëzuan nga vendasit: fillimisht Aubameyang riktheu avantazhin me një goditje precize, më pas Højbjerg realizoi një perlë nga distanca. Në fund, Robinio Vaz vulosi fitoren me golin e pestë.
Marseille merr kështu tre pikët e para të sezonit dhe regjistron suksesin e pestë radhazi në shtëpi, ndërsa Paris FC mbetet në fund të tabelës pas dy humbjeve rresht.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: