Arsenali e ka nisur sezonin e ri të Premier League me një fitore shumë të rëndësishme. Pa dhuruar lojë spektakolare, skuadra e Mikel Artetës arriti të merrte tri pikë në “Old Trafford” falë golit të Riccardo Calafiorit, duke mposhtur një Manchester United luftarak, por pa fat. Një fillim ideal i kampionatit të “Topçinjve”, që i shton vazhdimësi një serie mbresëlënëse.
Prej më shumë se dy vitesh, plot 844 ditë, Arsenali nuk njeh disfatë ndaj rivalëve të mëdhenj të Premier League-s, të ashtuquajtur “Big Six” (Liverpool, Chelsea, Manchester United, Manchester City dhe Tottenham). Humbja e fundit daton në prill 2023, kur londinezët u thyen 4-1 në “Etihad” nga Manchester City. Që nga ajo ndeshje, bilanci është mbresëlënës: 22 ndeshje pa humbje, me 13 fitore dhe 9 barazime.
Kjo ecuri konfirmon jo vetëm progresin e dukshëm të skuadrës së Artetës, por edhe soliditetin e saj në ndeshjet e mëdha, një pikë e dobët për vite me radhë. Tashmë, aftësia për të përballuar presionin në sfidat direkte është bërë pjesë e identitetit të Arsenalit, duke e shndërruar në një nga skuadrat më të frikshme e më konsistente të Premier League.
Me triumfin në “Old Trafford”, Arsenali jo vetëm që tregon se është gati të luftojë për titull, por gjithashtu rrit besimin se mund të sfidojë hapur rivalët kryesorë, Manchester City dhe Liverpool, në garën për fronin e futbollit anglez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: