Presidenti i Dinamo City-t, Adrian Bardhi, nuk e fshehu emocionin pas fitores historike 3-1 ndaj Hajduk Splitit në “Arena Kombëtare”, sukses që e çoi klubin kryeqytetas në “play off”-in e Conference League.
“Kisha shumë besim te ekipi dhe te çunat. Jemi përgatitur fort dhe e ndjeja se kjo mbrëmje do të ishte jona. Ardhja e Dajës ishte pikërisht ajo që doja për Dinamon, njeriu i duhur për të na çuar deri këtu. Kemi një grup djemsh të mrekullueshëm dhe i përshëndes: Forca Dinamo! Me Dajën do të shkojmë shumë larg.
Trajneri ka firmosur një kontratë 30-vjeçare me Dinamon… i kanë mbetur edhe 29 vite,” tha me humor Bardhi. “Jam shumë rehat me të. Sot ishte hera e parë që shikova 120 minuta të plota të Dinamos dhe ishte një nga sprovat më të forta emocionale që kam përjetuar.”
Presidenti dinamovit theksoi se objektivi i klubit mbetet gjithmonë titulli kampion: “Dinamos i takon të jetë pretendentja kryesore për kampionatin. Po bëjmë gjithçka për ta rikthyer klubin e madh që ka qenë. I bëj thirrje të gjithë popullit dinamovit të bashkohet me skuadrën, sepse tifozët tanë janë gjithmonë të mrekullueshëm.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: