Negociatat mes Milanit dhe Club Brugge për transferimin e mesfushorit shqiptar me pasaportë zvicerane, Ardon Jashari, vazhdojnë të jenë të komplikuara. Sipas ‘La Repubblica’, klubi belg ka refuzuar ofertën më të fundit nga kuqezinjtë: 33.5 milionë euro plus 5 milionë bonuse.
Brugge mbetet i vendosur në kërkesën e tij prej 40 milionë eurosh dhe synon të ndezë një ankand europian, ku klubet angleze janë të parat në radhë.
Megjithatë, Milani nuk heq dorë lehtë. Edhe pse paralelisht po shqyrton pistën Javi Guerra si alternativë, shpresat për Jasharin nuk janë shuar. Kjo sepse vetë lojtari ka dhënë miratimin për t’u transferuar në Milano dhe dëshiron vetëm kuqezinjtë.
Në kampin milanist, dëshira e trajnerit Massimiliano Allegri për më shumë cilësi në mesfushë i mban gjallë përpjekjet për të siguruar firmën e Jasharit. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Club Brugge do të zbutë qëndrimin e tij apo nëse Milani do të bëjë një lëvizje përfundimtare për të përmbyllur këtë operacion të rëndësishëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: