E ardhmja e Gianluigi Donnarumma-s te Paris Saint-Germain duket gjithnjë e më larg. Sipas asaj që raporton L’Équipe, portieri italian është pranë ndarjes me klubin parizien, pavarësisht një sezoni të jashtëzakonshëm që kulmoi me triumfin në Champions League, ku kontributi i tij ishte vendimtar.
PSG është duke punuar në prapaskenë për ta zëvendësuar Donnarumma-n dhe duket se ka gjetur alternativën ideale: Lucas Chevalier, ‘gardian’ i ri i Lille, i cili është nën kontratë deri në vitin 2027. Klubi nga kryeqyteti është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes, ndërsa presidenti i Lille-s, Olivier Létang, kërkon rreth 40 milionë euro për kartonin e portierit që në Francë shihet si zëvendësuesi i Mike Maignan.
Me kontratën aktuale të Donnarumma-s që skadon në verën e vitit 2026 dhe me mungesën e progresit në negociatat për rinovim, PSG nuk dëshiron të rrezikojë ta humbasë lojtarin me parametër zero në vitin e ardhshëm. Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit të shqyrtojnë seriozisht shitjen e tij që tani, për të siguruar të ardhura nga largimi i një prej portierëve më të mirë në botë.
Nëse gjithçka përfundon me transferimin e Chevalier, atëherë Donnarumma do të largohet nga Parisi, duke mbyllur kështu një kapitull që pati edhe sukses, por edhe pasiguri të shpeshta për të ardhmen e tij në klub.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: