Hajduk Split ka bërë prezantimin zyrtar të përforcimit më të ri në mbrojtje, Ron Raçi, i cili i bashkohet klubit kroat pas marrëveshjes me Prishtinën. Lajmi u konfirmua nga vetë Hajduku përmes një deklarate në faqet zyrtare.
“Sot, HNK Hajduk dhe FK Prishtina kanë përmbyllur me sukses transferimin e mbrojtësit 22-vjeçar Ron Raçi,” thuhet në njoftim, ku konfirmohet se lojtari ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2029.
Raçi do të bashkohet menjëherë me ekipin e parë dhe do të mbajë fanellën me numrin 14. Klubi kroat e përshkruan si një mbrojtës të gjatë dhe fizikisht të fortë, i cili pritet të sjellë qetësi dhe siguri në prapavijë.
Sezoni i kaluar ishte vendimtar për Raçin, pasi ai spikati te Prishtina, duke u shpallur si një nga më të mirët e skuadrës. Ai grumbulloi mbi 40 ndeshje zyrtare, duke shënuar 3 gola dhe dhënë 1 asist. Forma e tij e mirë i hapi dyert edhe te përfaqësuesja e Kosovës, me të cilën debutoi në qershor ndaj Komoreve.
Klubi i ka uruar mirëseardhjen:
“Ron, mirë se erdhe në Hajduk! Të urojmë fat, suksese dhe paraqitje të shkëlqyera me fanellën e bardhë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: