Ka nisur zyrtarisht sezoni i ri për Interin dhe një nga më të priturit në qendrën stërvitore të Appiano Gentile ishte kapiteni Lautaro Martinez. Sulmuesi argjentinas është rikthyer te zikaltrit, i përshëndetur me entuziazëm nga tifozët dhe në një ambient të mbushur me pritshmëri për sezonin që po afron.
Ky do të jetë sezoni i tetë radhazi për numrin 10 me fanellën e Interit, një dëshmi e fortë e lidhjes së ngushtë mes lojtarit dhe klubit. Nëpërmjet një postimi në Instagram, Lautaro shprehu ndjenjat e tij ndaj rikthimit:
“Ja ku jam. Si në ditën e parë të vitit 2018, me të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin vizion për të arritur objektiva me Interin.”
Fjalë të thjeshta, por me një domethënie të thellë, që tregojnë qartazi frymën me të cilën kapiteni po i afrohet këtij sezoni të ri. Interi nis gjithçka nga e para, por një nga shtyllat e projektit mbetet pa dyshim Lautaro, për lidershipin e tij, për golat e shumtë dhe për përkushtimin ndaj klubit.
Ndërkohë, edhe tensionet e mëparshme me Hakan Calhanoglu duken të jenë zbutur dhe, të paktën për momentin, atmosfera në grup është pozitive. Objektivi është i qartë: të mbeten në krye të futbollit italian dhe të konkurrojnë denjësisht në Europë. Me Lautaron në krye, Interi ka arsye për të shpresuar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: