Milan është në pikën vendimtare të negociatave për transferimin e Ardon Jasharit nga Brugge, ndërsa saga që ka zgjatur prej javësh pritet të marrë fund brenda pak ditësh. Futbollisti ka shprehur hapur dëshirën për t’u transferuar te kuqezinjtë, ndërsa drejtuesit e Milanit, të udhëhequr nga drejtor sportiv Igli Tare, janë gati të bëjnë përpjekjen e fundit për të bindur klubin belg.
Brugge vijon të qëndrojë fort në kërkesën prej 40 milionë eurosh, ndërsa oferta e Milanit pritet të zyrtarizohet së shpejti: 35 milionë euro fikse, plus 2-3 milionë bonuse. Ky do të jetë edhe propozimi përfundimtar, me pak hapësirë për lëvizje. Në "Casa Milan" mbizotëron optimizmi, por gjithçka do të varet nga reagimi i belgëve.
Zyrtarizimi i ofertës pritet pas shitjes së Emerson Royal te Flamengo, e cila do të përmbyllet së shpejti. Më pas, radha i kalon klubit belg, i cili pritet të përgjigjet pas fundjavës, pasi të dielën, në orën 18:30, Brugge do të luajë ndeshjen hapëse të kampionatit kundër Genk.
Trajneri i Brugge, Nicky Hayen, foli për situatën në konferencën për shtyp të së premtes:
“Gjithçka do të bëhet më e qartë shumë shpejt. Ardon ka kontratë deri në vitin 2029 dhe kërkesat tona janë të qarta: kush e do, duhet të paguajë. Por ka edhe dëshirën e lojtarit… dhe aty është problemi. Ne duam të ofrojmë lojtarë në formë në rast largimi, kjo sjell respekt nga klubet e tjera.”
Tashmë gjithçka është në prag të vendimit: brenda apo jashtë. Milan është gati, fjala e fundit i takon Brugge.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: