Flamurtari vazhdon të bëjë bujë në merkato dhe tashmë ka “blinduar” prapavijën me një tjetër emër të madh: Luciano Squadrone është zyrtarisht pjesë e kuqezinjve të Vlorës!
25-vjeçari argjentinas, i ardhur nga kampionati bullgar, ku ishte pjesë e Beroe Stara Zagora, ka një vlerë prej 600 mijë eurosh në “Transfermarkt”, shifër që e bën mbrojtësin më të vlerësuar në gjithë Kategorinë Superiore. Një tjetër sinjal i qartë nga Flamurtari: projekti është serioz dhe ambiciet janë të mëdha.
Squadrone është një mbrojtës i fortë fizikisht, luan në qendër dhe ka përvojë të vyer në futbollin europian. Ai i është bashkuar menjëherë ekipit gjatë fazës përgatitore që po zhvillohet në Bolu të Turqisë dhe ka nisur stërvitjet nën urdhrat e trajnerit.
Klubi kuqezi e konfirmoi zyrtarisht afrimin me këtë njoftim:
“Luciano Squadrone është zyrtarisht futbollist i Flamurtari Football Club.
Datëlindja: 18 nëntor 1999
Pozicioni: Mbrojtës qendre
Vjen nga Beroe Stara Zagora (Bullgari).
Lojtari është bashkuar me ekipin në fazën përgatitore në Bolu, Turqi ku është vendosur menjëherë në dispozicion të trajnerit për stërvitje.
Mirë se vjen në familjen e madhe kuqezi të Flamurtari F.C!”
Me këtë goditje, Flamurtari i dërgon një tjetër mesazh të qartë rivalëve: ky sezon nuk do të jetë për eksperimente. Vlonjatët janë rikthyer për të garuar fuqishëm!
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: