Një grup tifozësh të ekipit të Catanias ka pësuar një aksident rrugor teksa udhëtonte drejt Norcias, në Umbria, për të ndjekur përgatitjet verore të skuadrës. Sipas raportimeve të “lasicilia.it”, furgoni me tifozë të Curva Sud, që ishte nisur nga Catania, u aksidentua në zonën e Salernos, duke lënë pas nëntë të plagosur.
Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë dhe ndodhet në spitalin e Pollas nën kujdes të posaçëm, me prognozë të rezervuar. Një tjetër tifoz, që fillimisht kishte qenë në koma, është transferuar në spitalin e Vallo della Lucania dhe fatmirësisht ka dalë nga gjendja kritike, me shenja të përmirësimit.
Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit, teksa në vendngjarje përveç ekipeve mjekësore kanë ndërhyrë edhe forcat e rendit.
Klubi i Catanias, në bashkëpunim me komisariatin e Perugias, po shqyrton hapat që do të ndërmerren në vijim. Nesër në Norcia janë planifikuar një ndeshje miqësore me një ekip lokal dhe prezantimi publik i skuadrës në shesh, por ngjarja e rëndë ka lënë gjithçka pezull.
Një ditë e trishtë për familjen kuqezi, që lutet për shërimin sa më të shpejtë të tifozëve të saj.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: