Mesfushori i Chelseat, Cole Palmer, është shprehur me besim përpara finales së FIFA Club World Cup ndaj Paris Saint-Germain, që zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin MetLife, New Jersey.
Në një prononcim nga ‘Top of the Rock’ në Rockefeller Center, Palmer tha:
“Nuk e dinim çfarë të prisnim kur mbërritëm këtu. Shpresojmë ta realizojmë ëndrrën tonë,” duke shfaqur qetësi dhe besim në suksesin e skuadrës së tij.
Futbollisti 23-vjeçar ka vlerësuar kontributin e shokëve të skuadrës, duke përmendur në veçanti Joao Pedro dhe Pedro Neto:
“Të dy kanë shënuar disa gola. E gjithë skuadra ka bërë një punë shumë të mirë deri tani,” theksoi ai.
Palmer ishte vendimtar në suksesin e Chelseat në finalen e Ligës së Konferencës, ku dhuroi dy asistime në fitoren 4-1 ndaj Real Betis.
Me 16 gola dhe 12 asistime në 51 ndeshje këtë sezon, ai është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm për trajnerin Enzo Maresca.
Pavarësisht një dëmtimi në kofshë javë më parë, Palmer ka konfirmuar se është plotësisht i rikuperuar dhe gati për sfidën e madhe kundër kampionëve të Francës.
Chelsea, i vetmi klub anglez që ka fituar të tria garat evropiane (Champions League, Europa League dhe Conference League), synon të shkruajë histori edhe në Botërorin e Klubeve, me Palmer në rolin e liderit përballë një PSG-je të udhëhequr nga Ousmane Dembele.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: