Nick Kyrgios trondit botën e tenisit, sfidë e pazakontë ndaj Sabalenkës,  ‘Beteja e Sekseve’ rikthehet pas 50 vitesh

Nick Kyrgios trondit botën e tenisit, sfidë e pazakontë ndaj Sabalenkës, ‘Beteja e Sekseve’ rikthehet pas 50 vitesh

19:28, 08/07/2025

Australiani Nick Kyrgios është rikthyer në qendër të vëmendjes me një tjetër ide të çmendur që po bën xhiron e botës së sportit: një "betejë mes sekseve" kundër numrit 1 të tenisit femëror, Aryna Sabalenka.

Duke marrë frymëzim nga përballja historike e vitit 1973 mes Billie Jean King dhe Bobby Riggs, Kyrgios propozoi këtë duel të ri në një intervistë për TalkSport. “Unë dhe Sabalenka po mendojmë të organizojmë një përballje speciale deri në fund të vitit”, deklaroi 30-vjeçari, i njohur më shumë për deklaratat ekstravagante sesa për trofetë e fituar në fushë.

Sipas planit të parashikuar, sfida do të zhvillohej në Hong Kong, nën rregulla të veçanta: fushë e reduktuar për Sabalenkën dhe vetëm një shërbim i lejuar për Kyrgios-in, për të balancuar fuqinë fizike. “Ajo është e frikshme, është e egër, por besoj se kam ende mjaftueshëm talent dhe variacion për ta mundur”, u shpreh me humor tenisti 1.93 m i gjatë, në krahasim me Sabalenkën 1.82 m.

Kyrgios e përshkroi bjellorusen si një lojtare që mund të bëhet një nga më të mirat në histori, duke shtuar: “E admiroj Aryna-n sepse është shumë ndryshe brenda dhe jashtë fushës, ashtu si unë.”

Kjo ide ka ngjallur interes të madh në botën e tenisit, ku tashmë po flitet për "Betejën e Sekseve 3.0", që pritet të jetë spektakël dhe provokim njëkohësisht. A do të bëhet kjo sfidë realitet? Rruga është e hapur dhe gjithçka është e mundur kur në skenë është Nick Kyrgios.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco